Valon Badivuku - PF

Kandidat ne listën e fortë

Premtimi im si kandidat për deputet është avancimi i sistemit të përgjimeve në Kosovë, në mënyrë që çdo qytetar ta ketë mundësinë ta kryejë atë pa problem.

Valon Badivuku lindi në Prishtinë në vitin e largët të 1988-ës, në një karrocë pune në duart e babait të tij, duke u munduar që të kalojë nëpër protestuesit e shumtë shqiptarë për të arritur në spital. I lindur në mes të demonstratave për liri, aktivizmi i tij fillon qysh nga fryma e parë. Në moshën e brishtë të rinisë u kalit në një përdorues të jashtëzakonshëm të kompjuterit, i shkathtësuar në të gjitha fushat e përdorimit të tij. Ai thotë: ‘Realiteti i shekullit 21 është një realitet virtual. Si i tillë, është krejtësisht në fillet e themelimit të vet. Mund të thuhet se civilizimi virtual po e kalon një fazë ekuivalente me Greqinë e Lashtë. Prandaj, si filozofët e vjetër, unë specializohem në shumë fusha – hakerizmi, dizajni, IT, programimi etj. – por gjithmonë në domenin virtual.’ Partisë së Fortë iu bashkangjit gjatë fushatës agresive të saj për rekrutimin e kuadrove progresive. ‘Nuk më është lënë shumë hapsirë për të thënë as PO e as JO. Kryetari është mjaft dinamik, dhe nuk ka kohë për të humbur’, kujton Badivuku.

www.partiaeforte.com / www.facebook.com/partiaeforte / www.twitter.com/partiaeforte

Leave a Reply